Aktivitetet dhe arritjet ndër vite
Në vitin shkollor 1930-1931 me nismen dhe përpjekjet e mësuesve të shkollës së Parrucës, Sheuqet Muka, Ragip Gjylbegu, Ragip Hoxha, Mehmet Gjyli e Shuaip Domnori u krijua banda e parë muzikore e shkollës fillore laike në Shqipëri. Nxënësit kishin nga 2 kostume zyrtare dhe një kombëtare. Kjo orkestër ka dhënë shfaqje në ditët e festave kombëtare dhe fetare në Shkodër, Tiranë, Ulqin e Podgoricë. Aktivitetet jashtëshkollore ishin të shumta, dhe përveç bandës muzikore ishin edhe dramatizimet e ndryshme drama“Oso Kuka” apo të Ernest Koliqit e interpretime të vjershave ose fragmenteve të “Lahuta e Malcis”, Naim Frashërit, Hilë Mosit et. Numri i nxënësve rritej nga viti në vit si për shkollen platore të Parrucës ashtu edhe për shkollen fillore femërore Garuc.
Krahas përmirësimit të gjithanshë dhe rritjes së rolit formues edukativ të procesit mësimor për edukimin e nxënësve është punuar për forcimin e punës edukative jashtë klase dhe jashtë shkolle. Një kujdes i veçantë është treguar për gjallërimin e jetës së nxënësve nëpërmjet aktiviteteve të shumta artistike e sportive. Organizimi mjaft i mirë i mësimit nga mësuesit ndikoi në forcimin e shëndetit të nxënësve, si dhe në forcimin e një serie shprehish dhe aftësish fizike të domosdoshme dhe të nevojshme për jetën. vlerësimet për shkollen vazhdojnë të shtohen, cilësohet ndër shkollat më të mira të rrethit, në festivalin folkloristik të rrethit të Shkodrës zë vendin e parë me melodramen e përrallës “Mësimi i pyllit” (operetë), çmim të parë me skeçin “Si shokët tanë sovjetikë”, grupi folklorik u vlerësua me fletë nderi nga komisioni i festivalit, në Olimpiadat teatrale morën fletë nderi, në olimpiadat e matematikës vend të parë etj. 1957-1960, në spartakiaden kombëtare 1959 tri nxënëse thyen rekorde në atletikë: Mimoza Meta, Xhemalije Kavaja dhe Valdete Meta. Nga data 22-25 nëntor 1964 u zhvillua aktiviteti sportiv midis shkollave 8-vjeçare të qytetit, ku ekipi i basketbollit i shkollës “7 Nëntori” zuri vend të parë nën drejtimin e mësuesit Renato Radoja. Në 1965 u organizua kampionati i atletikës mes shkollave 8-vjeçare të qytetit, ku nxënësit e shkollës “7 Nëntori” u dalluan në garat e vrapimeve 100 me 800 metra për djem. Në muajin maj të po këtij viti u zhvillua konkursi i fjalës artistike mes shkollave 8-vjeçare të qytetit, ku nxënësja Shpresa Prifti e shkollës “7 Nëntori” fitoi vend të parë. Në kuadrin e festës së 7-Marsit, me dekret nr.4240 datë 24.02.1967, shkolla “7 Nëntori” e rrethit të Shkodrës u dekorua nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, me urdhrin “Naim Frashëri, Klasit II”: “Është një nga shkollat e para, që ka dhënë një kontribut të madh në përhapjen e arsimit”. Në muajin prill 1968, në kampionatin e basketbollit i nxënësve midis shkollave 8-vjeçare të qytetit të Shkodrës, ekipi i basketbollit i nxënësve të shkollës 8-vjeçare “7 Nëntori” zuri vendin e parë. Në vitin shkollor 1968-1969, shkolla 8-vjeçare “7 Nëntori” u bë shkollë sportive me profilin e basketbollit, ku u ngrit një klasë sportive nën drejtimin e mësuesve Renato Radoja dhe Artenca Tufi, e cila për vite me radhë ka furnizuar me lojtarë cilësorë ekipet e “Vllaznisë” së Shkodrës. Në vitet në vazhdim ekipi i futbollit, ekipi i basketbollit të femrave dhe të djemve, ekipi i volejbollit të vajzave dhe djemve, ekipi i atletikës, zuren vazhdimisht vendet e para apo të dyta. Në 1971 grupi artistik zuri vendin e parë në festivalin e ansambleve artistike mes shkollave 8-vjeçare, çka do vazhdojë vitet pasuese duke alternuar rrallëherë edhe çmimin e dytë. Gjatë këtyre viteve janë organizuar olimpiada e konkurse si në fizikë matematikë, kimi, biologji etj.dhe nxënësit kanë arritur rezultate mjaft të kënaqshme në këto olimpiada.
Më 1976 në festivalin e ansambleve artistike mes shkollave 8-vjeçare zuri vendin e dytë dhe u nderua me diplomë me këtë motivacion “Për nivel të mirë ideo-artistik të Ansambleve Artistike mes shkollave të qytetit”; zuri vendin e parë në basketboll, vendin e tretë në futboll dhe vendin e dytë në volejboll për vajza.
Në vitin 1981 ekipi i femrave zuri vendin e parë dhe i djemve vendin e dytë në basketboll; vendin e dytë në konkursin e biologjisë, vendin e tretë në konkursin e fizikës. Në muajn dhjetor 1987, Ministria e Arsimt i dha kësaj shkolle “Fletë nderi” me këtë motivacion: “Dalluar në aksionin kombëtar të kompletimit të të gjitha shkollave 8-vjeçare me kabinetet e kimisë, organizuar nga Ministria e Arsimit”.
Për rezultate të larta në procesin mësimor-edukativ shkolla është dekoruar nga Kuvendi Popullor në vitin 1989 me “Urdhërin e Flamurit të Klasit Parë”, dhe në vitin 1993 me “Urdhërin e Flamurit”.
Po këtë vit u krijua ekipi i parë i futbollit për femra në Shqipëri me kapitene Afrida Uruçi.
1994 në olimpiaden e fizikës dhe të matematikës zuri vendin e parë; zuri vendin e parë në basketboll për djem, në volejboll për vajza, vendin e dytë në atletikë e hendboll; u zhvilluan edhe ekspozita të pikturave gjatë viteve 90’.
Shkolla është fituese e shumë çmimeve dhe olimpiadave të ndryshme sidomos ato të matematikës, kimisë, historisë. Është pjesëmarrësë në aktivitete përvjetorësh dhe në konkurse teatrale. Që nga themelimi i saj e gjer në ditët tona, mësuesit e shkollës kanë punuar mirë në zhvillimin e prirjeve të nxënësve për t’u nxitur e ushqyer pasionin për dije, për studim të vazhdueshëm. Pasqyrë e punë së mirë janë rezultatet dhe çmimet e para, të dyta e të treta në olimpiada e konkurse lokale dhe kombëtare.
Nisma “Toka jonë” në shkollë ka filluar të funksionojë vitin e kaluar (2022-2023) e në vazhdim. Është mbjellë një parcelë me bimë mjekësore.
Është shkollë fituese e vendeve të para në kampionatet shumë sporteshe që 5 vite rresht. Ekipet sportive janë të hapura dhe funksionojnë shumë mirë. Janë 2 ekipe, vajza dhe djem volejboll e basketboll. Ekipi i çiklistave pjesëmarrës në aktivitetin “Të sigurt mbi dy rrota” fitues i vendit të parë në Shqipëri dhe përfaqësues në arenen ndërkombëtare në vitin 2018 në Budapest të Hungarisë dhe këtë vit në shtator 2023 në Mal te Zi.
Shkolla shquhet për talente në fushen e sportit, e artit. Me nxënës fitues në festivalet e këngës. Nga viti 2014 kanë fituar 12 nxënës çmime të para e të dyta. Në konkursin e recituesve 3 nxënës kanë fituar vende të para.
Dy nxënëse kanë hapur ekspozita vetjake në mjediset shkollës. Në konkursin e pikturës “Stop trafikimit” tre nxënëse janë vlerësuar me çmimin e parë.
Është pjesëmarrëse e aktiviteteve, konkurseve, olimpiadave dhe e projekteve (eTwining) “Vendlindja ime”, “Stinet e vitit” etj.